Freitag, 2. Dezember 2016

Dëshmori Agim Bahim Zekaj

10.04.1970 - 03.08.1998 

Agim Zekaj lindi më 10 prill 1970 në fshatin Raushiq, komuna e Pejës. Rrjedh nga një
familje e varfër fshatare, por bujare dhe atdhedashëse. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Me profesion ishte bujk. Si familje përherë ishte në shënjestër të organeve të sigurimit.

Babai i dëshmorit, Brahim Zekaj, shpesh u ftua në biseda informative, së bashku me të katër djemtë: Agimin, Naimin, Xhevatin dhe Milazimin. Nga babai i tyre, Brahimi, policia kërkonin armën e babait të tij, Beqir Zekës, i cili në luftë kundër forcave serbomalazeze, ishte vrarë në Novi Pazar në vjeshtën e vitit 1942, duke mbrojtur popullsinë shqiptare dhe atë boshnjake nga masakrat që serbomalazezët kryenin mbi ta. Nga këto biseda, babai Brahimi, së bashku me të katër djemtë, keqtrajtohej fizikisht dhe psikikisht. Kjo lojë vazhdoi me ta për shumë kohë, duke i liruar nga bisedat, por me kusht që të paraqiten thuaja çdo ditë në polici. 

Të vendosur që të mos paraqiten më në polici, të katër vëllezërit largohen nga shtëpia. Kjo ndodhi në qershor të vitit 1998, kur të katër vëllezërit angazhohen në stërvitjet e UÇK-së, që atëbotë organizoheshin në fshatin Gllogjan, të komunës së Deçanit. Në të vërtetë, Agim Zekaj me vëllezërit tashmë ishin në radhët e UÇK-së, pra qysh më 18 maj 1998, kur edhe ia mësyjnë Shqipërisë për furnizim, meqë lufta me forcat serbe po trokiste në dyert e Kosovës.

Pikërisht me fillimin e organizimit të mbrojtjes territoriale në fshatin e tyre, në Raushiq, të katër vëllezërit renditen nën komandën e eprorit Adem Zekaj. Kontributi i tyre në këtë drejtim ishte i mirëseardhur. Edhe babai i tyre, kishte ndikim, jo vetëm te të bijtë, por edhe në angazhimin e pjesëtarëve të tjerë në fshat. Mirëpo, dita e pavdekësisë për të dy vëllezërit, Agim dhe Milazim Zekajn vjen më 3 gusht 1998, në vendin e quajtur Qafa e Milishecit, kur po ktheheshin me armatim nga Shqipëria. Bijnë në pritën që ua kishte zënë soldateska serbe, ku përveç të vëllait, vritet edhe luftëtari Jashar Haxhijaj, po nga i njëjti fshat. 

Trupi i Agimit u mor nga forcat serbe dhe u varros në varrezat e Gjakovës. Në fillim të vitit 2000 u identifikua dhe u rivarros me nderime të larta ushtarake në varrezat e fshatit Raushiq. 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen