Samstag, 6. September 2014

Haxhi Muhaxheri - Nëntë poezi

 
SHQIPËRIA
 
Ishte nuse
që ia kishin zili perënditë
 
Nga shkëlqim i nurit të saj
dritë merrte edhe dielli
 
Kahmot e lakmonin
kodoshet e Olimpit
 
Ajo nuk jepej
ajo nuk merrej
 
Ata e mallkuan
trupin ia gjymtuan
 
Thonë se atëbotë
Europa qeverisej nga djalli
 
21. 03. 2014
 
 
 
NE DHE LISAT

Kemi diçka të përbashkët
Rrënjët thellë në tokë
Kokën lart në qiell!

Lisat lëshojnë shtatin
Ne rrisim hapin

Ata i përkund era e moteve
Fëmijët tonë
Djepat me nillullat e lokeve

Lisat puthin qiellin
Ne lutemi për diellin
Të sotmën dashuri
Të ardhmën lumturi

Ata bartin historine e moshës
Ne kujtimet e trishta
Të kohëve me grip

Tokën tonë
E madhërojnë lisat
Shekujve
E zbardhin plisat!

25. 02. 2014
 
 
 
LISAT DHE PLISAT

Askush mund t‘i numëroj lisat
Askush mund t‘i përulë plisat

Me lisat flasin legjendat
Me plisat flet historia

Në gjokset tona
Shpesh u thyen stuhitë
Që mos të na priteshin lisat
Të mos na hiqeshin plisat

26. 02. 2014
 
 
 
LUTJE PËR POETIN

/Pas kumtit për ikjën e Ali Podrimjës/
Zot
na e kthe  poetin
ai veç lule mbolli në jetë
Me këngë mundi të keqen
e shpirt i dha dashurisë
Nga kockë e tij bëri fyellin
për të lozur melodine e atdheut
20.07.2012
 
 
 
KUR IKU BABAI
 
Kur iku babai,
nëna tha:
-Heret na la plaku!
E në ball,
iu shtuan rrudhat!
 
Ajo,
përditë fshinte pluhurin
nga fotografia e tij,
e buzet i leviznin
pakuptueshëm!
 
Kurr nuk e mora vesh,
lutej për tim at
a veten mallkonte…
Në fytyrën e saj
rrallë shihej buzqeshja!
 
1994
 
 
 
LEGJENDA PËR DASHURINË

Në malin e harrimit
Ndrit një yll
Që shëron
Plaget e shpirtit

Në thellësinë e zemrës
Mbin një trëndafil
Rreze e fshehur për ty
 
Në rrugët
Që ne i humbëm 
Shkruhen Legjenda
Për dashurinë
 
 
 
LUMENJTË E ZEMRËS
 
Ditët rendin mbi njëra tjetrën
E dashuria më përvelon
Fjalë e pathënë keqas më tretet
Edhe pse në shpirt ngahera më vlon

Mendjen ma lexon moj lehtas si në përrallë
E mallin e fshehur heshtja jote e kall
Një frymëzim i dehur seç më rrjedhë damarëve
E lumenjtë e zemrës ndizën flakë

Kur një ditë prapë bashkë të jemi
Diellin vjedhurazi do e fus në gji
Vargjet në letër do të përligjen
Në këngën qëkurthi filluar për ty
 
 
 
 
YJET DO NA KENË ZILI

 Edhe pse udhët na janë ndarë
Ne bashkë jemi
E dashur
 
Frymojmë nën të njëtin qiell
I njëjti diell na ngrohë
Moj
 
Në ëndrra shpesh takohemi
E dashurisë
I japim shpirt
 
Orët po luten për ne
Të gjitha nyjet
Do të zgjidhen
 
Prapë kemi për të lozur
Vallën e Psherëtimave
E yjet do na kenë zili
 
 
 
 
EJA E DASHUR
 
 
Ka vite që i jam falur vetmisë
E gjumi mërguar më ka
Shtigjeve të dhembjes
Bashkë me ëndrrat
Dhe kujtimet për ty e dashur
 
Kot dergjem në planetin e pritjës
Edhe lutjet e kanë humbur kuptimin
Ato as zoti më nuk i merr vesh
Damarët e zemrës mi dogji malli
E çmendia pamëshirshëm më pushton
 
Harroj të gjitha dhe eja rrezja ime
Ndizi edhe njëherë motoret e shpirtit tim
Zjarri i dashurisë le ta ngrohe gjithë botën
Të puthemi të lozim të duhemi
Me afshin e dikurshem të rinisë
 
04. 05 1987

Samstag, 15. März 2014

Poezi nga Ali R. Berisha


SYRI I DRITËS

Unë nuk kam dike tjetër që më trazon si ti
Sa ne fushë, san ë bjeshkë – në punët buktore
Sa hije të ka shkëlqimi i ballit kur bie shi
Dhe në brendinë tonë hyn si me fuqi prej dore

Diçka që është në ty, apo në mua s’e di
Më shtrëndon brendajashtë si me pinceta
Të çelnikta të kohës dhe më bën më të ri –
Si linda, si u mplaka – njësoj më gjen jeta

Syri i dritës që e lëshon zërin këtu aty
Atje e kudo – më meson një të re histori
Se si me ty rreth teje s’thuhet “një apo dy?”
Se aroma e bukës sate – më e madhja dashuri

1965


KUJTIM I VONË

Një rreze e diellit ka hyrë në dhomën time
Rrethuar me dritë e ka fotografinë e tim eti.
Zbërthye çdo gjë ia ka, e mua tretur n’kujtime.
Një mallëngjim i madh sakaq më bëri për veti.

Ia kundroja fytyrën vrragë e n’kokë të bardhë një plis,
M’u kujtuan  bisedat që odave i mbante shpesh,
Me fjalë të  moçme mësuar ndër shokë e fis.
Rrethonin kujtesën e pa pra më trokllonin në vesh.

N’kujtime e sipër’i lot më rr’shqiti nga sytë
Fotografinë ma largoi e ma humbi si me dorë.
Nuk di sa qava, por në lotë fytyra qe mbytë.
I thashë vetvetes: “Rrallë po e kujton, o i gjorë!”

1967


LASGUSHIT

Më duket se ende në Liqen – me ujin e qetë, të lëmuar
Lundron andej një peshkatar me varkën varfanjake –
Buzë Liqenit një fëmijë, duke luajtur guralecë ndër duar.
Kohë pas kohe çon kokën, shikon shpendët bardhërake

Përtej, n’buzëbreg t’Liqenit, përpin ujin mjegulla dhe zbret
Peshkatarin e trembur gjeratorja e shtje brenda në gji
Kurse fëmija që ishte në breg tregon me gisht dhe thërret:
“Ai xhaxhi skoj n’melgim!” - për të jetuar atje me mallin e tij

Kroi i fshatit aty me vasha truphedhur, me molla në gji
Ka për ta rrjedh përherë ujët e ftohtë për pije …
Dhe Lasgushi do të këndojë gjithnjë më i ri,
Me mall të pashuar dhe  me të hollat shije

1971


MOS LUANI ME EMRA

Ju lutem mos luani me emra!
Se emri, druaj, ka fuqi magjie.
Mos kërkoni gjë prej emrave!
Por faluni nga diçka atyre!
Diçka të forte për gurthemel.

Bota ka shume njerës, më shumë emra
Lindin e vdesin rtadhazi, e paradhazi.
Çdonjëri vdes pos emrit të bartur!
Kurrkush nuk vdes me emrin e huaj!

Disave më së tepërmi emri u jeton në eshtra!
Disave më së tepërmi emri u jeton në misht!
E DISAVE EMRI U JETON SA GJAKU!

Dike e bren vdekja e vet
I dhembset shumë vetvetja pse vdes!
Dike e bren më shumë vdekja e emrit!
Dhe s’i dhembset vetvetja pse vdes!

Ka njerëz që lindin për të bartë një emër!
Ka emra që lindin për dike!
Disa emra ngriten lart prej njerëzve!

1983



NËSE  VDES  ROZAFA

Nëse vdes Rozafa
unë do të vdes para saj.
Kujtimin do ta vë përpara
dhe do të bërtas kupakresë,
që të thonë të tjerët se kam luajtur.

Nëse vdes Rozafa
për mua nuk do të ketë shpëtim, -
sepse dashuria ndaj saj
(që kurrë nuk guxova as
me mend ta shikoj)
s’ka për të jetuar pa të.

Dhe, nëse vdes Rozafa
me mal e me gurë e me qëndresë
do të rrokullisem ushtimas
deri te veshi i Zotit.

Nëse vdes Rozafa
jetëvdekja ime patjetër
do të shndërohet në baladë
ose në kujtimharresën që do të jetojë.
Mirëpo nëse vdes Rozafa…
e Rozafa nuk ka kurrë për të vdekur
asnjë kujtim nuk do ta vrasë
nga malli për të.


VARGU  NUK  LIND  VETËM  NË  PRANVERË

Kur lindi vargu ishte pranverë,
kur dheu bëhej burim,
kurse nga qielli rigonte dashuri.
anash vinte diçka (s’ia di emrin)
e s’ndahej këtej.
vinte në mua dhe e zinte vendin
e vargut – pranverë
ishte pranvera, kur mbushej atjehja,
kur lindi vargu  - unë s’i shpëtoja
e qiellit i shpëtonte duarsh dashuria.



KOSOVËS

Kosovë varri im buzë kufirit
kopsht nate
ditëvapë që s’u ngope kurrë ujë
e vdisje me këmbë në lumë
O lis hijemadh
që në hije kurrë s’pushove

Kosovë bukëdhëntore e vajatore,
Uzdajë-ëndërr-shpresë
Dhe kosovëtore



MË KUJTOHET

Më kujtohet
Kur lexoja poezi lirike
Në lëvoret e drunjve

E poezi epike
Në shpellat e bjeshkës.




LIRIKA E NJË NATE

U bëra mik me natën
Dhe me fatin që mban ngjyrën e saj
Për ta ngarkuar edhe me një poezi
Që kurrë nuk munda ta bëj timen

-Natëziu! - e quajta veten
“Natëziu” - e titullova poezinë
Të shkruar në mesditë
-Natëziu! - më quajti lexuesi

Vuajtjet e poetëve
Nuk po përfunduakan njësoj

Qindra poetë qindra thyerje poetike
Të netzinjve: ata dhe nata
Gjithmonë qajnë njësoj...
Kur vetmia na mundonte shumë
Nata me shpirtin e saj guva-guva
U bë mik me mua t’i lexonte poezitë e mia

Poetët e rrugës nuk flasin më me të
Përse? Kur ata mund të flasin
Me vashat që kthehen nga puthjet

Poetët e kafeneve nuk flasin më me të
u merren mendtë -
S’ka më as trubadurë!!!

Tash unë dhe nata
Ia heqim mërzinë njëri-tjetrit.




PIKU VARGU

Piku vargu -
Ra në lotin e vashës

E mori trimi
Që të mos i lëndohet
Dhe ia fluturoi
Majë bjeshke
Atje ku vallëzojnë poezitë.




Ali R. Berisha është nga lagja Bricor e fshatit Qallapek të Lugut të Baranit. Aty ka lindur me 20 korrik 1942. Në Baran e ka kryer shkollën fillore, në Pejë Gjimnazin, kurse Fakultetin Filozofik - Degën Gjuhë dhe Letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës. Kryesisht ka punuar në gazetari dhe në arsim. Së fundit në Shkollën e Mesme “Luigj Gurakuqi” në Klinë, prej ku edhe ka dalë në pension.
Me shkrime letrare ka filluar te mirret që nga shkolla e mesme – 1966, kur ka filluar të botojë fillimisht poezi. Ka shkruar poezi e prozë për fëmijë e të rritur. Në fushën profesionale është marrë edhe me çështje gjuhësore, dhe aty është ende shumë aktiv. Krijimet e tij janë botuar në revista dhe gazeta.

Ka të botuara këto vepra: 

- Poezi me titull në fund, “Jeta e re” Prishtinë - 1997, 

- S’ka më po e zi, KL “Vorea Ujko” Klinë - 2005, 
- Poezia e lashtore, 
- Agu e hap driteren vetë
- Hijet e flladitshme të diellit, tregime
- Fjalor i fjalëve të reja, 2006 
- Aforizma  të autorëve shqiptarë I II III,  “F. Konica” Prishtinë – 2007.(Në bashkautorësi me Luz Përnokajn).