Montag, 29. April 2013

Bestytni nga Lugu i Baranit

Bestytni nga Lugu i Baranit

 

HËNA

Hëna është motra e Diellit(1). Në popull janë disa punë të caktuara që kryheshin në faza të caktuara të hënës. Kështu gjersa hëna shkonte duke u rritur pra nga hëna e re deri tek hëna e plotë që zgjaste dy javë, kjo kohë quhej "me hënë përpjetë" ose "hënë e mbarë", dhe punët e rëndësishme, kumbaritë, vëllazërimet bëheshin gjatë kësaj kohe.
Kur zihej hëna besohej se këtë e shkaktonte lugati e ndonjëherë tjetër lufta mes dragoit dhe kulshedrës. Në këtë rast njerëzit për t'i ndihmuar dragoit shtinin pushkë, dhe bënin zhurmë duke i rënë tupanit, dërrasave, gjërave të metalta, që të bënin zhurmë e rrapëllimë sa më të madhe në mënyrë që t'a trembnin kulshedrën (apo në raste tjera lugatin, varësisht nga besimi).

Mark Krasniqi- "Lugu i Baranit"





SHTRIGA

Zakonisht bëhen plakat e këqija, gratë e veja grindavece e të mbrapshta. Shtriga bën vetëm keq. Ajo është e rrezikshme sidomos për foshnje, për fëmijë, por edhe për vajza e djem të rinj. Shtriga ua ha zemrën, iu zë frymën dhe kështu i mbyt viktimat e saj. Shtrigë bëhet plaka sa është gjallë, pasi të vdesë nuk bëhet më shtrigë. Ajo mund të shëndrrohet në flutur të madhe e të zezë, ose në një krijesë shpirtërore, pa trup fizik, kështu që mund të hyjë në dhomë edhe nëpër vrimë të çelësit në derë. Fshatarët zakonisht e dinë se cila plakë në fshat është shtrigë. Te katolikët "i lidhin shtrigat" natën e "të lidhunave", dmth natën e krezhmeve 6 javë para pashkëve. Në mbrëmje pas darke i zoti i shtëpisë merr një pe të zi të leshtë dhe pranë zjarrit në oxhak lidh shtrigat. Njëri nga meshkujt e shtëpisë e pyet me radhë: "Çka po lidh aty?" Ky përgjigjet: "Po lidhi shtrigën N.N. që mos të ban dam as në mall as në rob." Duke u përgjegjur kështu ai lidh në pe një nyje të fortë. Pasi t'i lidhë "të gjitha shtrigat e katundit" ai perin plot nyje e fut në një birë (vrimë) të cilën e shpon me turjelë në një tra ose në kosh të drithit dhe e mbyll mirë me kunj. Nga shtrigat njerëzit mbrohen me thelba hudre; ky është ilaç i njohur kundër këtij rreziku, kurse fluturat e mëdha i ndjekin dhe i mbysin sidomos ato me krahë të zezë.

Mark Krasniqi- "Lugu i Baranit"






 SYRI I KEQ


 Syri i keq, ose mësyshi është një dukuri e paidentifikuar mirë në besimet popullore, sepse nuk dihet kush e ka "syrin e keq" madje as personi përkatës nuk është koshient se e ka këtë veti.
Syri i keq dëmton bagëtinë, por edhe fëmijët dhe çdo gjë tjetër që është e bukur. Ai shkakton sëmundje të ndryshme madje edhe vdekjen.
Prandaj fëmijve u vëhet hajmalia në qafë, në rrobe, në djep etj, kurse bagëtisë sidomos qejve të bukur u vëhet në ballë.
"Syni i keq mundet edhe lisin me e tha" - thuhet në popull.
Prandaj për çdo gjë që i pëlqen ndokujt, qoftë njeri, kafshë, apo send, duhet të thuhet "mos e paftë syni i keq".

  Mark Krasniqi -  "Lugu i Baranit"




 
KALLUKANXHA

Kallukanxha është një krijesë, e cila nuk shihet, rrin në pyje ose në mezhda (kufij) të fushave dhe vepron sidomos kur ka mjegull. Ajo nuk i mbyt njerëzit as nuk u shkakton sëmundje, por i huton, kështu që njeriu të cilin e merr kallukanxha, e humbë orientimin, shkon rrugës tjetër e jo në atë rrugë që e ka marrë, sillet vërdallë dhe nuk di të kthehet në shtëpi. Fjala "të ka marrë kallukanxha" ose "e ka zënë kallukanxha" dëgjohet mjaft shpesh në shprehjet figurative në gjuhën e popullit.

Mark Krasniqi - Lugu i Baranit

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen