Freitag, 2. Dezember 2016

Dëshmori Valon Muharrem Gashi


Valon Muharrem Gashi
10.07.1977 -  29.01.1999

Dëshmori Valon Gashi lindi më 10 korrik 1977 në fshatin Buçan, komuna e Pejës. Rrjedh nga një familje e mesme fshatare. Si familje ishin në shënjestër të regjimit nga viti 1946, kur e burgosin gjyshin e dëshmorit. Ky keqtrajtim vazhdoi edhe më vonë, kështu që disa herë e burgosën. Edhe babanë, Muharremin, jurist i diplomuar, e largojnë nga puna në vitin 1990.

Prindërit Muharrem dhe Kumrije Gashi kishin tetë fëmijë: tre djem dhe pesë vajza. Valon Gashi ishte fëmija i tretë i kësaj familjeje. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në Baran, gjimnazin po ashtu në Baran. Në vitin 1996 regjistrohet në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, ku kreu vitin e parë. Por, pranvera e vitit 1998 solli ngjarje të reja në Kosovë dhe mu për këtë Valon Gashi ndërpret studimet. Kthehet në vendlindje. Merr pjesë në protestat që u mbajtën në Pejë. I vëllai, Jetoni, kishte kontakte me UÇK-në në Jabllanicë të Dushkajës, nën komandën e Xhelal Hajdës, ku në prill udhëtoi për në Shqipëri për furnizim. 

Me kthimin e vëllait nga Shqipëria, Valoni edhe vetë inkuadrohet në radhët e UÇK-së, më 16 maj të vitit 1998, i sistemuar në Brigadën 132 “Myrtë Zeneli”, me seli në Jabllanicë. Mirëpo, me hapjen e kazermës “Adrian Krasniqi”, në Baran, bashkë me të vëllanë, Egzonin, sistemohet këtu, në Njësitin për intervenime të shpejta. 

Ndeshjet e para me forcat serbe Valon Gashi i pati në Vranoc, më 29 maj 1998. Në periudhën korrik-gusht mori pjesë në luftimet që u zhvilluan në  Loxhë, ku qëndroi deri në fund në krahun e Grabocit. Në sulmin në Jabllanicë, Valoni me Musa Dragën ishin në Bokshiq, më vonë në Çeskovë dhe në fund në Llugaxhi ku mbronin pozicionet kundër forcave serbe. Po ashtu e gjejmë edhe në Gllogjan të Deçanit ku qëndroi 24 orë si përforcim, prej nga kthehet në Buçan. Një kohë lëvizi ilegalisht. Këtu dha kontribut të vazhdueshëm, sidomos në masovizimin e radhëve të UÇK-së. Kreu aksione kundër stacionit të policisë në Qallapek, në fshatin Poterq etj. 

Meqë UÇK-ja rritej, duheshin armë. Valon Gashi caktohet të shkojë në Shqipëri për furnizim me armë. Nisen më 27 janar 1999, në krye me Agim Zenelin. Për tri ditë udhëtim, bie në tri prita të forcave serbe, në Bishtazhin, Goden dhe së fundi në Rogovë të Hasit, me ç’rast vritet më 29 janar 1999, së bashku me shumë luftëtarë të ZOD, duke vënë veten në altarin e lirisë së Kosovës.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen