Samstag, 3. Dezember 2016

Dëshmori Përparim Xhafer Krasniqi

8.10.1976 - 10.09.1998.

      Dëshmori i kombit Përparim Krasniqi u lind më 8 tetor të vitit 1976, në familjen e madhe të Sylërexhëve, në fshatin Vranoc të Pejës, e njohur brez pas brezi për tradita liridashëse. Edhe në luftën e fundit që zhvilloi populli ynë në krye me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, djemtë e kësaj familjeje pa asnjë hezitim iu përgjigjën zërit të atdheut, iu përgjigjën kushtrimit të luftës për liri, duke vënë në shërbim të luftës gjithë potencialin familjar, njerëzor e material, duke dhënë edhe tre dëshmorë të kombit dhe një martir.
     Prandaj, nuk është rastësi që njëri ndër luftëtarët e radhëve të para të UÇK-së, njëri ndër ata që patën fatin të luftojnë e të bien të parët për atdhe nën emblemën e UÇK-së, të jetë heroi Adrian Krasniqi, rrugën e të cilit e trasuan me besnikëri edhe të gjithë anëtarët e tjerë të familjes. Në altarin e atdheut atij do t’i bashkohen edhe dëshmorët Përparim e Haki Krasniqi.
     Përparimi ishte fëmija dhe gëzimi i parë i prindërve Xhafer Krasniqi dhe Sanije Bralaj-Krasniqi, pas të cilit ata lindën edhe katër fëmijë të tjerë.
     Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Baran, me sukses të shkëlqyeshëm. Ishte student në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, por i la në gjysmë studimet për të kapur armën e lirisë.
     I lindur, dhe i rritur në një familje të njohur atdhetare, ku mori një edukatë të shëndoshë kombëtare, Përparim Krasniqi, qysh në moshë të re u shqua për trimëri, urtësi e vendosmëri. Etja e tij për dije, kulturë, përparim e liri e përcolli në vazhdimësi që nga bangat shkollore deri në dyert e universitetit.
     Përparimi nuk kishte hyrë rastësisht në rrugën e mundimshme të luftës për liri, por ishte bërë pasues i denjë i përpjekjeve për liri të të parëve të vet. Ai ishte njëri ndër luftëtarët e celulave të para të UÇK-së, njëherësh luftëtar i devotshëm që luftoi e veproi me vetëmohim deri në frymën e fundit, për çlirimin e atdheut prej pushtuesit serb.
     I brumosur me ndjenja atdhetarie e i frymëzuar nga të parët e tij dhe heronjtë kombëtarë, që në fëmijëri u përpoq të kontribuojë për lirinë e Kosovës, duke bashkëpunuar me djemtë e axhës së tij Ilirin e Adrianin, të cilët qysh herët ishin aktivistë të LPK-së. Formimi i UÇK-së për Kosovën ishte një kthesë e madhe dhe shkëndijë e vetme për lirinë e Kosovës. Në ballë të saj u vunë Komandanti Legjendar Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Luan Haradinaj e Shkëlzen Haradinaj, Adrian Krasniqi, Mujë Krasniqi, Ilir Konushefci, Edmond Hoxha, Përparimi dhe qindra bij e bija të Kosovës.
     Përparimi, në radhët e UÇK-së u radhit në fund të korrikut të vitit 1996, nëpërmjet djalit të axhës, dëshmorit të kombit Adrian (Rexhep) Krasniqi, ndonëse shumë kohë më përpara po e ndihmonte sivëllain e tij Adrianin dhe bashkëluftëtarët e tij. Që nga ajo periudhë, Përparim, i cili në radhët e UÇK-së do të njihet me emrin e luftës “Shabani”, do të jetë një luftëtar besnik dhe i dalluar i lirisë, pa u thyer asnjëherë para vështirësive, por duke u vënë përherë në ballë të rrezikut. Që nga ditët e para dhe në moshë shumë të re “Shabani” u përgatit dhe u kalit për luftë kundër pushtuesit serb, duke pasur vizion jetësor çlirimin dhe bashkimin e kombit.
     

     Në aksionin mbi stacionin e policisë serbe në Çallapek të Pejës, në gusht të vitit 1996, në të cilin mori pjesë Adriani dhe bashkëluftëtarët e tij, ai kreu me sukses pjesën e detyrës së tij.
     Së bashku me Adrianin dhe shokë të tjerë të ilegalitetit veproi deri në rënien heroike të Adrianit.
Rënia e Adrianit, në tetor të vitit 1997, në Kliçinë (tash Adrian) të Pejës, por as e shumë bashkëluftëtarëve të tjerë, nuk do ta ligështojë Përparimin, i cili edhe më me devotshmëri do t’i përkushtohet rrugës për lirinë e Kosovës.
     Pas rënies heroike të Adrianit, dëshmori i kombit Ilir Konushefci kërkon nga strukturat më të larta komanduese të UÇK-së që Përparim Krasniqi “Shabani” të jetë mbështetja e tij kryesore në logjistikë për arsye se kishte lidhje familjare dhe miqësie me bazat e ngritura nga Adriani dhe shokët e tij për furnizim me teknikë lufte nga Shqipëria në Kosovë, – rrëfen bashkëluftëtari i tij, Xhevdet Duka.
     Kështu, që nga vitit 1997, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Përparimi u sistemua në logjistikën e UÇK-së e cila ishte arteria kryesore e frontit dhe e luftës. Që nga kjo kohë “Shabani” mori detyra me përgjegjësi të lartë në aspektin e logjistikës dhe të rekrutimit të luftëtarëve të rinj në radhët e UÇK-së. Shtëpia e tij në Vranoc të Pejës dhe shtëpitë tjera të familjarëve të tyre në Bajram Curr e Tiranë, Lybeniq, Bralaj të Rozhajës etj., ishin ndër bazat më të hershme dhe më besnike të UÇK-së. Pas shpërthimit të luftës frontale, Përparimi mori pjesë aktive në operacionet luftarake në vijat e para të frontit në Rrafshin e Dukagjinit.
     Armët e para që u përdorën në luftën frontale dhe luftimet frontale që u zhvilluan në fshatin e tij të lindjes, në Vranoc, në maj të vitit 1998, dhe në Lugun e Baranit, ishin meritë dhe kontribut i “Shabanit”, të mbështetur nga familjarët e tij të dëshmuar prej kohësh dhe farefisit të gjerë, të cilët pa hezitim iu bashkuan UÇK-së.
     Në kohën kur radhët e UÇK-së shtoheshin me shpejtësi të theksuar, kur armiku tentonte që me shpejtësi të rimerrte pozicionet e humbura në terren, nevojat e UÇK-së në bazën e furnizimit në Bajram Curr dhe në gjithë zonën e Tropojës për njerëz të aftë dhe të dëshmuar rriteshin. Prandaj, Përparimi pa dëshirën e tij, detyrohet t’i lë frontet e luftës dhe t’i kthehet furnizimit me armë të mijëra ushtarëve, që pritnin të armatoseshin dhe të hynin në Kosovë.
     Gjatë veprimit të tij në Bajram Curr dhe Tropojë arriti të gjejë me dhjetëra shtigje për furnizim me armatim, siç ishte Qafa e Morinës, Lugu i Zi, Qafa e Zherkës, Qafa e Hajdarmataj, Qafa e Kocines në Mahallë të Epërme, Maja e Krajlicës etj., por në atë periudhë korridori më i rëndësishëm dhe më i vështirë për t’u mbajtur ishte ai i Ujëzës, për të cilin caktoheshin luftëtarët më të spikatur.
     Në fillim të shtatorit 1998, në koordinim me përgjegjësin e pikës së furnizimit në Bajram Curr, Gani Nuhën, Përparimi, merr nën komandë njësitet e UÇK-së në Ujëz të Tropojës për ruajtjen e korridorit për furnizim me armatim, korridor i cili ishte ndër arteriet kryesore të furnizimit me armatim. Krahas kësaj kryen një varg aksionesh luftarake kundër forcave ushtarake serbe në brezin kufitar.
     Sikurse gjatë verës, edhe në fillimvjeshtën e vitit 1998 ofensivat serbe s’kishin të ndalur. Luftëtarët e UÇK-së po bënin përpjekje titanike për mbrojtjen e popullatës dhe të identitetit të tyre. Pothuajse pjesa më e madhe e Kosovës po digej për të satën herë që nga shpërthimi i luftës.
     Përparimi, i brengosur jashtëzakonisht nga gjendja në terren në tërë Kosovën dhe në veçanti në Rrafshin e Dukagjinit, të cilin çdo ditë e shihte nga bjeshkët e Ujëzës, ku shiheshin veprimet ushtarake të armikut, vendos që aktivitetin e tij ushtarak ta bëjë vetëm në Kosovë, pavarësisht kërkesave dhe nevojave për praninë e tij në përgatitjen e ushtarëve të rinj, furnizim me teknikë lufte dhe sigurimin e korridorit. Kështu, pikën e Ujëzës e dorëzon te luftëtarët tjerë dhe pikërisht më 10 shtator 1998, merr rrugën për t’iu bashkuar luftëtarëve në Dukagjin, që kishin nevojë për luftëtarë të tillë më shumë se kurrë.
    Në rrethana të tilla edhe rrugët që do të çonin drejt furnizimit me material luftarak pothuajse ishin bërë të pakalueshme, por megjithatë luftëtarët e lirisë i kalonin ato shtigje të vetëdijshëm se ai material u duhej ushtarëve në front. Përparimi ishte nisur të depërtonte në Kosovë me një grup të vogël bashkëluftëtarësh: Xhevdet Dukën nga Drenoci, Rasim Mazrekajn nga Vokshi, Haxhi Krasniqin nga Turjaka, Florim Krasniqin nga Turjaka dhe Ilir Shoshin nga Skivjani.
     Vullneti dhe dëshira e jashtëzakonshme për t’u ardhur në ndihmë bashkëluftëtarëve në Dukagjin, “Shabanit” nuk arriti t’i përmbushej pasi që zemra e tij pushoi së rrahuri pikërisht më 10 shtator 1998. Njëkohësisht nuk arriti t’i përmbushej edhe nevoja e madhe për hakmarrje ndaj armikut gjakatar që ndjente ai në ato momente, – thotë bashkëluftëtari i tij Xhevdet Duka.
     Përparimi e njihte mirë terrenin, majat e thepisura të bjeshkëve i kishte rrahur vazhdimisht më shumë se një vit e gjysmë, prandaj nuk kishte rëndësi se ku vendosnin të bënin kalimin e vijës kufitare, pak më poshtë apo pak më lartë, afër pikës C/2 apo C/3. Bashkëluftëtarët e tij e dinin këtë gjë, prandaj atë ditë ata nuk brengoseshin për rrugën. Brengoseshin për gjendjen që do të gjenin në Kosovë, për fshatrat e djegura dhe frontet e shpërthyera. Por ajo rrugë u ndal në gjysmë, sepse aty ra Përparimi.
     Rruga nga vendi i rënies së “Shabanit” deri në Kosovë nuk ka më shumë se disa qindra metra. Por ishte pikërisht rënia e Përparimit, që krijoi lidhjen mes vëllezërve të ndarë padrejtësisht me dekada. Përroi i Hijes dhe Maja e Krajlicës, të cilat atë natë synonte t’i kalonte Përparimi me shokë, u bë vendi që i bashkon shqiptarët e këndej e andej kufirit.
     Dhjetëra e dhjetëra herë, Përparimi barti me krah armë nga Shqipëria në Kosovë e nga Mali i Zi në Kosovë. I kishte mbetur më pak se një muaj të mbushte 22 vjet. Dhe më 10 shtator, ishte zotuar se ja gjallë ja vdekur atë ditë do të hynte në Kosovë, sepse luftëtarët e UÇK-së kishin më shumë se kurrë nevojë për mbështetje, pas goditjeve të brendshme e të jashtme që pësuan, dhe pas ofensivave të pandërprera, ku ranë dhjetëra dëshmorë lirie e dhjetëra luftëtarë të tjerë u plagosën.
     Rënia e Përparimit ishte një goditje e madhe për luftën çlirimtare. UÇK humbi njërin nga luftëtarët e mëdhenj e më të vendosur të saj. Humbi një pjesë të shpirtit të saj luftarak. Megjithatë, veprimtaria e jashtëzakonshme e Përparim Krasniqit në luftë për liri, u bë shembull për bashkëluftëtarët e tij dhe luftëtarë të tjerë që u bënë bartës të luftës çlirimtare, të cilët ishin mësuar që dhembjen ta kthejnë në forcë e forcën në qëndresë.
     Banorët e Zogajve, dhe përgjithësisht të zonës së Tropojës, dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në luftën çlirimtare që nga strehimi i popullatës shqiptare të Kosovës, të dëbuar nga trojet e veta deri në pjesëmarrjen aktive në luftime, me çka ky fshat dhe edhe bijtë e vet dëshmorë si Lulzim Hasan Muhametaj dhe Shpend Rexhë Hajdarmataj.
     Banorët e fshatit Zogaj kishin ndjerë dhembje e krenari për luftëtarin shtatlis, për Përparimin që tashmë nuk ishte vetëm i Vranocit, nuk ishte vetëm i Kosovës, por u bë qytetar nderi e dëshmor edhe i Lagjes së Epërme të fshatit kufitar Zogaj dhe mbarë Shqipërisë. Ishin nëna Zojë, Ali e Fatmir Musë Muhametaj, Hasan Abazi, Hysen Abazi, Avni Salihu e banorë të tjerë të Zogajve, që u bashkuan me luftëtarët e lirisë natën e rënies së Përparimit. Banorët e kësaj lagjeje, që në ditën e rënies së Përparimit, vendin e kishin shënjuar dhe pagëzuar “Lapidari i Dëshmorit”.
     Sot atë vend e hijeshon lapidari hijerëndë i Përparim Krasniqit, i ngritur me përkujdesjen dhe kontributin e familjarëve e të bashkëluftëtarëve, i latuar me mjeshtri, me portretin e dëshmorit me barrën e rëndë të furnizimit mbi supe, me emblemën e shenjtë të UÇK-së në sfond dhe me vargjet epitaf:

“Nuk rashë, nuk fjeta,
zgjuar jam i tëri,
Po të sogjetoj, ty Kosovë, ty Shqipëri…”

     Lapidari i dëshmorit Përparim Krasniqi sipër fshatit Zogaj, i mbuluar me kurora lulesh, i lagur me ndonjë pikë lotësh malli, mu pranë kufirit të robërisë mbetet dëshmi e sakrificës mbinjerëzore dhe vetëflijimit të Përparimit me shokë, dëshmi e luftës dhe përpjekjeve të përbashkëta, simbol i bashkimit Kosovë-Shqipëri.
     Përparimi kishte bërë rrugë të gjatë, dha frymën e fundit në Zogaj, dy vjet u pre në dheun e Tiranës, pranë e pranë bashkëluftëtarëve dëshmorë Ilir Konushefci e Hazir Mala, për t’u rikthyer më pas në vendlindjen e tij, në Vranoc, ku në tetor të vitit 2000, u varros me nderime të larta ushtarake e gjithëpopullore, për t’u prehur përjetësisht në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve, pranë sivëllait Adrian Krasniqi dhe të tjerëve.
     Pas vetes, Përparimi ka lënë prindërit Xhaferin e Sanijen, vëllain Shkëlzenin dhe tri motra, njëra e lindur pas rënies së Përparimit. Familja e tij është nderuar me mirënjohje të shumta për bijtë e tyre dëshmorë. Për dëshmorin Përparim Krasniqi është shkruar në librin e dëshmorëve të Universitetit të Prishtinës – “Në kërkim të dijes dhe të lirisë”, në librin “Adrian Krasniqi “Rexha” – një jetë e një vdekje për atdhe” të autorit Faton Mehmetaj, në librin “Të Pavdekshmit e Dukagjinit” të Hasan Hasanit. Shkrime përkujtimore kanë botuar Fetnete Ramosaj, Xhevdet Duka etj.
     Në 12-vjetorin e rënies, pikërisht më 10 shtator 2010, Komuna e Ptyçit dhe regjioni i Hasit e nderuan birin e vet, Përparim Krasniqi, me titullin “Qytetar nderi i Komunës Ptyç”. (F. R.)
____________
Marrë nga radiokosovaelire.com

Mirënjohje dhe respekt për ata që e ndihmuan luftën...

Shkruan: 
Major, Nazif RAMABAJA
(Komandant i njësive operative të Lugut të Baranit)

Në organizimin dhe ndihmesën e ushtrisë së rregullt, gjegjësisht njësiteve operative të  UCK-së në Lugun e Baranit dhe  formimin e sektorëve: Informativ, sigurisë, kartografik dhe logjistikë si dhe përkrahje dhe angazhim në luftë defenzivo-ofenzive dhe frontale kontribut të veçantë dhanë këta persona:

Rrok Berisha dhe vëllau i tij Mëhilli dhanë kontribitin e tyre moralisht, materialisht dhe fizikisht. Në kuadër të brigades 131 Rroku ishte kryeshef i sektorit për informim, i autorizuar së bashku me të ndjerin Asim Lokajn, njoftuan dhe mbajtën kontakte të pandërprera me mjetet informative publike të vendit dhe ndërkombëtare. Pastaj si deputet i zgjedhur nga vota e popullit të fshatrave të Lugit të baranit, ka organizuar intelektual të të gjitha fushave që ti dalin në ndihmë ushtrisë së rregullt të UÇK-së, të cilët përmes tri komunikatave, të nënshkruara edhe nga krahu ushtarak e në veqanti ndihmoj popullatën  gjatë grumbullimit në Isniq dhe tërheqjen e sajë pa pasoja për në Rugovë.

Kanë mbështetur, ndihmuar dhe përkrahur vijën dhe institucionet e Republikës së Kosovës pa rezervë. Shtëpia e Mëhillit dhe Rrokut qe shëndrruar në shtab për eprorët e Brigadës 131, e cila pikërisht për këtë qëllim edhe u dogj e u shkatërrua nga forcat barbare serbe, ndërsa Mëhill Berisha shqyhet si bëmirës dhe kontribuesi më i dalluar në grumbullimin, organizimin dhe shpërndarjen e njeteve materiale dhe ndihmë financiare për luftë..

Asim Lokaj si kartograf dhe shef për vëzhgim në brigadën 131, me profesionalizmin dhe dëshirën që kishtë për të shërbyer në njësitet operative të Uck-ë të komanduara nga epror profesionist dhe me përvoj të ministrisë së mbrojtjes së Republikës së Kosovës bëri një punë jashtëzakonisht të madhe dhe ishte i shkëlqyeshëm në vëzhgime dhe përpilimin e hartave me pozicione të armikut të cilat na ndihmuan shumë në realizimin e detyrave ushtarake dhe luftarake.

Nikë Krasniqi dha kontribut të pamohueshëm në ndihmë ushtrisë dhe popullit e në veqanti brigadës 131, përkundër pengesave të herpashershme që i bëheshin. Nika shquhet për informimin e vijës institucionale me rrjedhat dhe rrethanat e zhvillimit të luftës në Lugun e Baranit dhe ishte kordinator në mes subjekteve politike dhe njësive operative të UÇK-së.

Rrustem Shala dhe vëllau i tij Xhema ishin figurat më markante në fshatrat e Lugut të Baranit, të cilët nuk kursyen asgjë, ata u morën me logjistikën e brigadës duke mos i lën në asnji moment ushtarët të uritur, organizuan ndërtimin e furrës së bukës që kishte kapacitet për të ushqyer me bukë jo vetëm ushtrinë por edhe banorët e fshatrave përreth Baranit. Ndihmoi popullatën në qaste më të vështira gjatë strehimit në fabrikën e kodradiqit , e cila ishte renovuar me vetëkontributin e popullatës së kësaj rrethine, dhe ishte shëndrruar në kazerm-repart të tipit modern për njësitet operative të UÇK-së. Kontribut të veqant dhanë edhe Gjon Balaj dhe Nimani.

Kontribut të veqant dhanë po ashtu edhe Zymer Faku, vozitës dhe përcjellës gjatë tër kohës së zhvillimit të operacioneve së bashku me Sinan Shalën nga Duboviku i cili ishte edhe pjesëmarrës në luftën e Loxhës dhe ishte plagosur, pastaj Burimi-përcjellës siguri, Hasani, Riza dhe Demë Gashi e Sadri Selca-shef për siguri nga Barani, Naimi, Maxhuni e Nimoni nga Kodradiqi Naim, Agim, Cufë e Xhevdet Krasniqi nga Vranoci, Adem Zeka nga Raushiqi, eprori Skender Rexhahmetaj, Sylë Bruqi, Xhevdet Sinani e Mahmut Mulaj nga Isniqi ku shtëpija e Mahmut Mulajt ishte lëshuar për strehim të të ikurve dhe një kohë edhe të shtabit të brigadës në raste urgjente siq ishin ( dehidrimi i trupit ) dhe shërimin e komandantit të brigadës 131 nëpërmes marrjes së infuzioneve, Shemsije Shala nga Loxha krenare, Eprori Gani Gjukaj nga Strelci i ulët, Agim Zeneli nga Këpuzi, Nezir Gashi nga Graboci dhe të gjithë komandantët e shtabeve të fshatrave: Rashiq, Kryshec, Turjakë Kodradiq, Raushiq, Loxhë, Graboc, Lugmir, Baran i Epërm, Baran, Qallopek, Kosuriq, Llugagji, Buqan, Kamenicë, Gllogjan, Nepole, këpuz,Qeskovë dhe Bokshiq. 

Komandanti i njësiteve operative të UÇK-ës në Lugun e Baranit

Majori: Nazif Ramabaja 


.   .   .


Bartësit e mirënjohjeve

Personat të cilëve iu ndanë mirënjohje nga komandanti i njësiteve operative në Lugun e Baranit, major Nazif Ramabaja janë: Kolonel Tahir Zemaj, Sali Çekaj, Agim Ramadani, Mëhill Berisha, Rrok Berisha, Smajl Hajdaraj, Rrustem Shala, Xhemë Shala, Sinan Shala, Nikë Krasniqi, Asim Lokaj, Ramiz Muriqi, Skender Rexhahmetaj, Rrustem Bruçi, Sylë Bruçi, Lumni Surdulli, Enver Alaj, Faruk Xhemajli, Hasan Zemaj, Rexhë Osaj, Skender Çeku, Gani Gjukaj, Bota sot Zvicër, Bota sot Prishtinë, Bota sot New York, Xhemë Berisha, Fehmi Berisha, Ramiz Berisha, Dritan Gashi, Imer Ahmetaj, Hajdar Bajraktari, Rrustem Geci, Qaush Shala, Mustafë Krasniqi, Esat Ademaj, Astrit Ademaj, Fak Sefaj, Zymer Sefaj, Sadri Vishaj, Farush Thaçi, Gjon Krasniqi, Hysen Krasniqi, Agim Krasniqi, Resmije Ademaj, Shehrije Sadrijaj, Bashkim Bala, Burim Gashi, Idriz Osdautaj, Faton Krasniqi, Agim Zeneli, Nezir Gashim, Sebahate Tolaj, Fadil Haderxhonaj, Sadri Selca, Ibrahim Gashi, Musa Gjakova, Musa Dtragaj, Shaban Dragaj, Naim Krasniqi, Magjun Hysenaj, Lah Zhuti, Bajram Stojkaj, Besim Gashi, Demë Gashi, Esat Berisha, Naim Hysenaj, Isuf Haklaj, Sadik Muriçi, Ismet Çeku, Petrit Lokaj, Azem Gashi, Shemsije Shala, Xhavit Thaçi, Bekim Kastrati, Bajrami, Agim Jonuzaj, Cufë Kurtalaj, Rasim Bojku, Haxhi Gashi, Lulzim Gashi, Besim Gërvalla, Sadik Berisha, Bekim Kadrijaj, Xhevdet Imeraj, Bashkim Ahmetaj, Shpetim Bali, Reshat Beqiraj, Milaim Berisha, Zenun Lulaj,  Lokaj, Imer Elezaj, Halit Shala, Bekim Berisha, Fatmir Zekaj, Bekim Ahmetaj, Atdhe Bekaj, Sheremet Bujari, Valdet Dukaj, Safet Bytyçi, Bekim Hasani, Rrahim Beka, Zymer Kryeziu, Skender Ahmetaj, Shpetim Bobi, Ramë Berisha, Muharrem Gashi, Muhamet Vishaj, Izet Beqiraj, Bajram Ahmeti, Ahmet Kukalaj, Agim Gagica, Abedin Rrustemaj, Valon Gashi, Agush Gjoci, Cufë Krasniqi, Tahir Malushaj, Shpend krasniqi, Shefqet Gjoci, Qazim Gashi, Mujë Dervishaj, Gjelil Krasniqi, Gazmend Gjoci, Elmi Krasniqi, Arsim Hysenaj, Arianit Krasniqi, Ahmet Isufi, Ahmet Thaçi, Shyqeri Spahiu, Armend Agolli, Agron Salihaj, Albert Hyseni, Bekim Krasniqi, Gani Morina, Gjemë Dervishaj, Imer Gashi, Halil Margataj, Mujë Berisha, Nazmi Gashi, Ragip Kastrati, Ramadan Gashi, Sadik Krasniqi, Tal Ibrahim Krasniqi, Osman Jasiqi, Halil Rexhahmetaj, Enver  Cakolli, Bejtush Maliqi, Shtabi lokal ”Iliria” Sverkë, Binak Rexha, Ryve Loshaj, Naser Vllasi dhe Shoqata Nënë Tereza Prishtinë.

Me mirënjohje u nderuan edhe anëtarët e brigadës “Mërgimi” dhe pjesëmarrësit në homazhe dhe në Akademinë përkujtimore për kolonel Tahir Zemajn, mbajtur në Prishtinë më 4 janar 2004: Muhamet Sadikaj, Valdet Sinanaj, Enver Kurtulaj, Hamit Binakaj, Bashkim Tahiraj, Arben Shala, Vëllaznim Nitaj, Mustafë Shala, Elez Bacaj, Astrit Zemaj, Ardian Baraj, Bekim Rabushaj, Sanush Hylaj, Nebih Binakaj, Demë Shala, Bekim Berisha, Mehdi Berisha, Riad Shala, Islam Tetaj, Sadik Berisha, Petrit Bajraj, Sami Berisha, Valdet Dukaj, Enver Kapitaj, Fatmir Hasanmetaj, Rasim Bojkaj, Astrit Shabanhaxhaj, Cufë Kurtulaj, Muahmet Bruçi, Zenun Lulaj, Besnik Çekaj, Shpend Kurmehaj, ismet Gërvalla, Imer Elezaj, Sajmir Idrizaj, Selman Gecaj, Avdyl Bruçi, Brahim Berisha, Ahmet Kapitaj, Agim Bajramaj, Elbasan Ukaj, Halit Shala, Gon Ukaj, Fehmi Shala, Azem Ukaj, Reshat Beqiraj dhe Fatmir Zekaj.

________________
Marrë nga trepca.net

Freitag, 2. Dezember 2016

Dëshmori Agush Asllan Gjocaj

31.3.1971.-29.1.1999

Fillimi i luftës çlirimtare në Kosovë kishte jehuar thekshëm në qenien e përflakur me zjarrë lirie të Agush Gjocajt. Që në fëmijëri ishte edukuar me ideale lirie. Babai, Asllani, i kishte rrëfyer atij, sa e sa herë historinë e bëmave të Skënderbeut, të Isë Boletinit, të Azem e Shote Galicës, të Shaban Polluzhës e të Ali Demë Pozharit. Ky i fundit, një kohë kritike kishte gjetur strehë e besë te Gjocajt.

Pas qëndresës titanike të Adem Jasharit, Agush Gjocaj, ashtu sikur edhe shumë liridashës të tjerë, u nisën pa u hamendur shtigjeve të luftës çlirimtare. Atëbotë Agushi ndodhej në mërgim dhe pa i njoftuar fare vëllezërit, Emrushin dhe Avdylin, u kthye në Kosovë, në zonën e Dukagjinit, ku kishte filluar të intensifikohej lufta çlirimtare kundër pushtuesit serb.

Forca fizike, zhdërvjelltësia, vendosmëria dhe atdhetaria e sprovuar e Agushit u kishin bërë përshtypje komandantëve të luftës, prandaj ata e kishin angazhuar përherë në detyra me përgjegjësi të veçanta.

Agush Gjocaj ka lindur në fshatin Rashiq të Pejës. Familja e tij në Rashiq kishte ardhur nga fshati Gjocaj. Mësimet fillestare i mori në fshatin e afërt Kryshec, ndërsa shkollën e mesme teknike e mbaroi në Pejë. Në fillimtë viteve ’90 kishte marrë ftesën për shërbimin ushtarak në ushtrinë jugosllave. Në këtë kohë kishte filluar edhe shpërbërja e Jugosllavisë së atëhershme. Eprorët e ushtrisë jugosllave e kishin provokuar prore bindjen dhe atdhetarizmin e Agushit, por ai ishte treguar i matur, edhe pse këta eprorë i kishin rënë në gjurmë aktivitetit të tij në dobi të çështjes kombëtare. Vetëm 15 ditë para se të lirohej nga shërbimi i ushtrisë së urryer jugosllave, Agushi u dënua tre muaj burg, për veprimtari të kualifikuar nga pushtuesi, si antishtetërore. Edhe pas lirimit nga burgu dhe nga armata ku kishte shërbyer në mënyrë të dhunshme, Agushi ishte vënë në shënjestër të policisë serbe. Prandaj atij iu imponua të mërgojë në vendet perëndimore, si mijëra të rinj të tjerë shqiptarë nga Kosova, kuadro dhe ushtarë të ardhshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më 15 maj të vitit 1998, Agush Gjocaj, së bashku me 42 luftëtarë çlirimtarë, nën komandën e Agim Çelës ishte përgaditur për të hyrë në Kosovë, ndërsa më 23 maj të atij viti, depërton në Zonën e Dukagjinit. Meqenëse asokohe fronti i luftës çlirimtare e kishte përshkuar sidomos Drenicën, Agushi do të shkojë atje dhe do të shquhet në fushë të betejës në Likoc, në Llaushë, në Açarevë, në Grykë të Llapushnikut, në Rahovec e në shumë vende të tjera.

Tre muaj pas kthimit nga mërgimi dhe pas tre muaj luftimesh në betejat e Kosovës, Agushi, një natë të vonë kthehet në familjen e tij, me ç’rast do të çmallet me nënën, me vëllanë, Qaushin, me nipat, me mbesat e me kushërinjtë, të cilët nuk i kishte parë disa vjet.

Në gjysmën e dytë të muajit korrik të vitit 1998, Agushi me bashkëluftëtarët e tij, nën komandën e Agim Çelës, i njohur si komandant ‘’Coli’’, harton planet për sulmin mbi forcat serbe në Rahovec. Beteja kishte qenë ndër më të ashprat. Në përleshje ballë për ballë, Agushi ishte plagosur rëndë, ndërsa komandant Coli kishte rënë në altarin e lirisë. Pas fazës së parë të shërimit, atij i ishte lejuar një qëndrim afatshkurtër për vizitë familjare, në Rashiq. Pa u shëruar ende krejtësisht, ai lajmërohet në Shtabin ushtarak të Gllogjanit në Zonën Operative të Dukagjinit. Mirëpo, pas disa ditësh qëndrimi në Gllogjan i keqësohet gjendja shëndetësore dhe detyrimisht dërgohet për shërim në Tiranë, ku qëndroi deri më 5 nëntor të vitit 1998, kur së bashku me 14 luftëtarë të tjerë, nëpër dëborë e acar kthehet sërish në frontet e luftës çlirimtare . Gjatë kthimit nga Tirana, Agushi dhe bashkëluftëtarët e tij ishin rrethuar nga forcat pushtuese në fshatin Lubizhdë të Hasit, por ata kishin arritur ta çajnë rrethimin dhe kishin depërtuar në Gjonaj e më pastaj në Landovicë. Çeta e Agush Gjocajt duhet të arrinte në Kleçkë, ku asokohe ndodhej selia e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Cilësitë e tij si luftëtarë i sprovuar, bënë që Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agushin ta caktojë në detyrat e pjesëtarit të Njësisë Speciale, e cila ishte formuar në nëntor të vitit 1998 me seli në Divjakë të Drenicës. Në aksionet e shumta diversante që kishin kryer pjesëtarët e kësaj njësie, si në Duhël, në Zborc, në Blinajë e në pika të tjera, ishte shquar arma e Agush Gjocajt në mesin e luftëtartëve më militantë të lirisë tani dëshmorë  si: Milaim Beha, Xhavit Kelmendi, e të tjerë.

Asokohe, Agush Gjocaj dhe Idriz Shala, i njohur me emrin e luftës ‘’Galani’’, qëndrojnë një kohë në Krojmir për t’u shëruar.

Ende pa u shëruar si duhet, Agush Gjocaj me luftëtarët e lirisë si Azem Kastrati, Gafurr Dugolli, Sylë Qeriqi, Selatin Rizani e shumë ushtarë të tjerë të batalionit ‘’Ruzhdi Salihu’’ të brigadës 121 ‘’Kumanova’’, të cilën asokohe e komandonte Elez Durmishi, merr pjesë në luftimet që u zhvilluan në Blinajë, në Zborc dhe në pika të tjera luftarake.

Luftëtari i paepur, Agush Gjocaj, ishte bërë sinonim i sogjetarit të lirisë, të cilin do ta gjeje kudo në zonat e luftimeve, duke kaluar nga njëra zonë në tjetrën: në Dukagjin, në Drenicë e në Pashtrik.

Më 29 janar të vitit 1999, duke qenë i ngarkuar me detyrë ushtarake në përcjelljen e të plagosurve dhe për furnizim me armatim në Shqipëri, së bashku me bashkëluftëtarë, rrethohet nga forca të shumta serbe në vendin e quajtur Te Ura, në Rogovë të Hasit.

Në betejë të pabarabartë, bien 16 luftëtarë të lirisë dhe tetë civilë, që iu kishin bashkuar rrugëtimit për në Shqipëri. Atë ditë të acartë janari bien trimërisht duke ulur me gjakun e tyre, tokën e Kosovës, për çlirimin e së cilës ishin betuar. Në altarin e lirisë në mesin e 16 luftëtarëve bie dëshmor edhe Agush Gjocaj, duke hyrë në përjetësi, si qindra e mijëra dëshmorë të kombit tonë, që ranë nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Vepra heroike e Agushit është përjetësuar në pllakë përkujtimore.
_________________________
Marrë nga radiokosovaelire.com

Dëshmori Agim Bahim Zekaj

10.04.1970 - 03.08.1998 

Agim Zekaj lindi më 10 prill 1970 në fshatin Raushiq, komuna e Pejës. Rrjedh nga një
familje e varfër fshatare, por bujare dhe atdhedashëse. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Me profesion ishte bujk. Si familje përherë ishte në shënjestër të organeve të sigurimit.

Babai i dëshmorit, Brahim Zekaj, shpesh u ftua në biseda informative, së bashku me të katër djemtë: Agimin, Naimin, Xhevatin dhe Milazimin. Nga babai i tyre, Brahimi, policia kërkonin armën e babait të tij, Beqir Zekës, i cili në luftë kundër forcave serbomalazeze, ishte vrarë në Novi Pazar në vjeshtën e vitit 1942, duke mbrojtur popullsinë shqiptare dhe atë boshnjake nga masakrat që serbomalazezët kryenin mbi ta. Nga këto biseda, babai Brahimi, së bashku me të katër djemtë, keqtrajtohej fizikisht dhe psikikisht. Kjo lojë vazhdoi me ta për shumë kohë, duke i liruar nga bisedat, por me kusht që të paraqiten thuaja çdo ditë në polici. 

Të vendosur që të mos paraqiten më në polici, të katër vëllezërit largohen nga shtëpia. Kjo ndodhi në qershor të vitit 1998, kur të katër vëllezërit angazhohen në stërvitjet e UÇK-së, që atëbotë organizoheshin në fshatin Gllogjan, të komunës së Deçanit. Në të vërtetë, Agim Zekaj me vëllezërit tashmë ishin në radhët e UÇK-së, pra qysh më 18 maj 1998, kur edhe ia mësyjnë Shqipërisë për furnizim, meqë lufta me forcat serbe po trokiste në dyert e Kosovës.

Pikërisht me fillimin e organizimit të mbrojtjes territoriale në fshatin e tyre, në Raushiq, të katër vëllezërit renditen nën komandën e eprorit Adem Zekaj. Kontributi i tyre në këtë drejtim ishte i mirëseardhur. Edhe babai i tyre, kishte ndikim, jo vetëm te të bijtë, por edhe në angazhimin e pjesëtarëve të tjerë në fshat. Mirëpo, dita e pavdekësisë për të dy vëllezërit, Agim dhe Milazim Zekajn vjen më 3 gusht 1998, në vendin e quajtur Qafa e Milishecit, kur po ktheheshin me armatim nga Shqipëria. Bijnë në pritën që ua kishte zënë soldateska serbe, ku përveç të vëllait, vritet edhe luftëtari Jashar Haxhijaj, po nga i njëjti fshat. 

Trupi i Agimit u mor nga forcat serbe dhe u varros në varrezat e Gjakovës. Në fillim të vitit 2000 u identifikua dhe u rivarros me nderime të larta ushtarake në varrezat e fshatit Raushiq. 

Dëshmori Valon Muharrem Gashi


Valon Muharrem Gashi
10.07.1977 -  29.01.1999

Dëshmori Valon Gashi lindi më 10 korrik 1977 në fshatin Buçan, komuna e Pejës. Rrjedh nga një familje e mesme fshatare. Si familje ishin në shënjestër të regjimit nga viti 1946, kur e burgosin gjyshin e dëshmorit. Ky keqtrajtim vazhdoi edhe më vonë, kështu që disa herë e burgosën. Edhe babanë, Muharremin, jurist i diplomuar, e largojnë nga puna në vitin 1990.

Prindërit Muharrem dhe Kumrije Gashi kishin tetë fëmijë: tre djem dhe pesë vajza. Valon Gashi ishte fëmija i tretë i kësaj familjeje. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në Baran, gjimnazin po ashtu në Baran. Në vitin 1996 regjistrohet në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, ku kreu vitin e parë. Por, pranvera e vitit 1998 solli ngjarje të reja në Kosovë dhe mu për këtë Valon Gashi ndërpret studimet. Kthehet në vendlindje. Merr pjesë në protestat që u mbajtën në Pejë. I vëllai, Jetoni, kishte kontakte me UÇK-në në Jabllanicë të Dushkajës, nën komandën e Xhelal Hajdës, ku në prill udhëtoi për në Shqipëri për furnizim. 

Me kthimin e vëllait nga Shqipëria, Valoni edhe vetë inkuadrohet në radhët e UÇK-së, më 16 maj të vitit 1998, i sistemuar në Brigadën 132 “Myrtë Zeneli”, me seli në Jabllanicë. Mirëpo, me hapjen e kazermës “Adrian Krasniqi”, në Baran, bashkë me të vëllanë, Egzonin, sistemohet këtu, në Njësitin për intervenime të shpejta. 

Ndeshjet e para me forcat serbe Valon Gashi i pati në Vranoc, më 29 maj 1998. Në periudhën korrik-gusht mori pjesë në luftimet që u zhvilluan në  Loxhë, ku qëndroi deri në fund në krahun e Grabocit. Në sulmin në Jabllanicë, Valoni me Musa Dragën ishin në Bokshiq, më vonë në Çeskovë dhe në fund në Llugaxhi ku mbronin pozicionet kundër forcave serbe. Po ashtu e gjejmë edhe në Gllogjan të Deçanit ku qëndroi 24 orë si përforcim, prej nga kthehet në Buçan. Një kohë lëvizi ilegalisht. Këtu dha kontribut të vazhdueshëm, sidomos në masovizimin e radhëve të UÇK-së. Kreu aksione kundër stacionit të policisë në Qallapek, në fshatin Poterq etj. 

Meqë UÇK-ja rritej, duheshin armë. Valon Gashi caktohet të shkojë në Shqipëri për furnizim me armë. Nisen më 27 janar 1999, në krye me Agim Zenelin. Për tri ditë udhëtim, bie në tri prita të forcave serbe, në Bishtazhin, Goden dhe së fundi në Rogovë të Hasit, me ç’rast vritet më 29 janar 1999, së bashku me shumë luftëtarë të ZOD, duke vënë veten në altarin e lirisë së Kosovës.

Dëshmori Xhemjl Metë Fetahaj

27.5.1964 - 31.5.1999.

Xhemajl Fetahaj lindi më 27 maj 1964 në fshatin Raushiq, komuna e Pejës. Rrjedh nga një familje fshatare me tradita patriotike. Babai Meta dhe nënë Hala ishin kujdesur që fëmijët e tyre të edukohen në frymë kombëtare. Dëshmori shkollën fillore e kreu në vendlindje, atë të mesme në Pejë, ndërsa studimet në degën e Historisë i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës.

Dëshmori Xhemajl Fetahaj ishte i martuar dhe la pas vetes dy fëmijë: një djalë dhe një vajzë. Si student ishte pjesëmarrës aktiv në demonstratat kundër regjimit serb. Këtë veprimtari e vazhdoi duke organizuar greva, duke shpërndarë trakte, afishe, duke shkruar parolla kundër regjimit etj. Përkushtimi rreth çështjes kombëtare u bie në sy shokëve, për çka edhe u bë shumë i dashur për ta.

Veprimtarinë atdhetare të Xhemajl Fetahajt e mbështeste e tërë familja. Prindërit dhe
vëllezërit e ndihmuan pa kursim, qoftë në aspektin moral, qoftë edhe në atë material e fizik. Pikërisht kjo veprimtari e bujshme e këtij militari për liri kombëtare, bëri që të bie në sy edhe të okupatorit dhe tradhtarëve të kombit. Dhe, më 27 janar 1984 arrestohet së bashku me vëllanë, Demën, dhe me një grup shokësh të tjerë të idealit. Xhemajl Fetahajn e dënojnë me gjashtë vjet burgim. 

Pas vuajtjes së dënimit, përkatësisht pas lirimit nga burgu, Xhemajl Fetahaj përsëri iu bashkua radhëve të Lëvizjes kombëtare. Nuk kishte demonstratë në Pejë, Istog, Deçan, Prishtinë ku nuk merrte pjesë Xhemajl Fetahaj. Përsëri organet e sigurimit serb e përcillnin aktivitetin e tij patriotik, kështu që u detyrua që për disa javë të kalojë në ilegalitet. Më vonë, një kontribut të çmuar e dha edhe në pajtimin e gjaqeve. Ishte tetori i vitit 1990 shtëpia e Xhemajl Fetahajt rrethohet nga forca të mëdha serbe. Me këtë rast bastiset, keqtrajtohet me pretekst të kërkimit të armëve, por edhe për ta arrestuar dëshmorin Xhemajl Fetahaj. Pikërisht nga kjo Xhemajl Fetahaj detyrohet të emigrojë në Gjermani. 

Kësisoj, vitet e nëntëdhjeta dëshmorin Xhemajl Fetahaj e gjejnë në Gjermani. Aty dha kontribut të çmuar në organizimin dhe rekrutimin e ushtarëve të lirisë, për t’u rreshtuar në organizimin dhe rekrutimin e ushtarëve të lirisë, për t’u rreshtuar në radhët e UÇK-së për luftën në Kosovë. Ndërkohë emërohet nga bashkatdhetarët në Gjermani përgjegjës për Fondin “Vendlindja thërret”. Megjithatë, Xhemajl Fetahaj nuk ishte i kënaqur vetëm të rekrutojë ose të mbledhë ndihma. Ai kishte dëshirë që edhe vetë të merrte pjesë në luftën për çlirim që zhvillohej në Kosovë. Dhe, vendosi që t’u bashkohet shokëve. Hyri në Kosovë nëpërmjet të Shqipërisë. U sistemua në Brigadën 138 “A.Ramadani” të Zonës Operative të Dukagjinit ku me armë në dorë dha kontribut të çmuar deri në rënien e tij në fushë të nderit si epror i lartë i Njësisë Speciale “Delta”, ku u dallua për trimëri. 

Xhemajl Fetahaj ra heroikisht më 31 janar 1999 bashkë me Milazim Shalën gjatë një beteje të ashpër te Rasa e Zogut, në Kosharen legjendare. Trupi i tij pushon i qetë në Varrezat e Dëshmorëve në Koshare.

Dëshmori i kombit Zeqir Isuf Gashi

Dëshmori i kombit Zeqir Gashi, u lind më 19 janar 1974, në fshatin Buçan të Pejës, në një familje të njohur për tradita atdhetare, pjesëmarrëse në shumë përpjekje e luftëra për liri e çlirim. Prindërit e tij, Isuf Zenun Gashi dhe Ruke Lush Tahiraj, nga Baballoçi, i lindën dhe i rritën tre fëmijë, dy vajza e një djalë. Zeqiri ishte më i vogli prej fëmijëve dhe djalë dëshiri.

Shkollën fillore Zeqiri e kreu me sukses të shkëlqyeshëm në vendlindje, duke qenë njëri ndër nxënësit më të dalluar. Shkollën e mesme e kreu në Gjimnazin “Bedri Pejani” të Pejës, paralelet e ndara në Baran. Rrethanat ekonomike dhe ato politike bënë që si mbajtës i familjes, ai të mos mund ta vazhdojë shkollimin e mëtutjeshëm.

Në vitin 1992, Zeqiri u martua me Ajmane Isuf Hoxhën, bijë e Lluzhanit të Pejës, të cilëve u lindën tre fëmijë, dy djem e një vajzë: Isufi, Blendi dhe Bleona.

Zeqiri ishte pjesëmarrës në protestat dhe demonstratat gjithëpopullore kundër pushtimit serb. Shquhej për sinqeritet, ndershmëri, vendosmëri, e mbi të gjitha për guxim e trimëri, përkushtim e besnikëri ndaj popullit dhe atdheut të vet. Ndonëse që në vitin 1993 i kishte vdekur babai Isufi, kur atij i kishte rënë barra e kryefamiljarit, që në kushtrimin e parë të luftës, Zeqiri u radhit pa hezitim në radhët e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilës si luftëtar i dalluar i shërbeu pa shkëputje ndershmërisht e besnikërisht deri në rënien e lavdishme. Zeqiri e kishte pasur më lehtë të bie në kontakt me luftëtarët e lirisë, sepse vendlindja e tij Buçani, gjendet shumë afër Shqiponjës (ish-Jabllanicë) së Dushkajës, e cila ishte ndër bazat më të hershme dhe më të fuqishme të UÇK-së.

Gjatë vitit 1998, Zeqir Gashi apo “Zeqa”, siç e thërrisnin bashkëluftëtarët, mori pjesë në vijat e para të frontit kudo që e kërkoi nevoja, si në betejën e zhvilluar për mbrojtjen e Vranocit – vendlindjen e Adrian Krasniqit, në maj të vitit 1998, pastaj në luftimet e zhvilluara në Llugaxhi, Buçan, etj., gjithnjë duke u shquar për guxim e trimëri. Kur bashkëluftëtarët i kërkonin që të mos merrte pjesë në vijat e para të frontit, Zeqiri u përgjigjej: “Atdheu është i të gjithëve dhe për mbrojtjen e tij duhet të sakrifikohemi të gjithë njësoj”. Ai ishte ndër luftëtarët e paktë që pas ofensivës së shtatorit dhe goditjeve që kishte marrë UÇK-ja nga jashtë e nga brenda, u gjet në mesin e luftëtarëve që në krye me komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, u përqendruan në Shqiponjë të Dushkajës, prej nga u bë riorganizimi i suksesshëm i radhëve të UÇK-së në gjithë zonën. Pas gjendjes së krijuar në atë kohë, Zeqiri u ngarkua me detyrë nga Komanda e Zonës, për riorganizimin e luftëtarëve në vendlindjen e tij. Këtë detyrë e kreu me përkushtim edhe përkundër pengesave që i paraqiteshin në terren. Njëkohësisht që nga muaji shtator 1998, u sistemua në Brigadën 132 “Myrtë Zeneli” në detyrën e policit ushtarak. Këtë detyrë e kreu edhe pas transferimit në Brigadën 135 “Agim Zeneli”, e themeluar në mars të vitit 1999, rajon i përgjegjësisë së të cilës ishte Lugu i Baranit. Këtë detyrë Zeqir Gashi e kreu me nder, përgjegjësi e përkushtim të lartë deri në rënien e lavdishme.

Gjatë ofensivës së muajit prill 1999, dëshmori Zeqir Gashi mori pjesë dhe u dallua në luftimet e zhvilluara në Shqiponjë, Buçan, Llugaxhi, Kralan, Zhebel, etj. Ai bashkë me një grup luftëtarësh, nën drejtimin e komandantit të Brigadës 135 “Agim Zeneli”, Lulzim Morina, nuk ishte larguar fare nga rajoni i përgjegjësisë, por tanimë po zhvillonte luftë guerile kundër forcave ushtarako-policore serbe në Buçan dhe në rajonin përreth. Kështu, më 7 prill 1999, duke qenë në krye të detyrës në Buçan, Zeqir Gashi bie dëshmor në një përballje me trupat serbe dhe kolaboracionistët shqipfolës, pjesëtarë të të ashtuquajturës “polici lokale”. Në përpjekje për ta tërhequr trupin e dëshmorit, bie dëshmor edhe bashkëluftëtari i tij Agron Gashi, nga Buçani.

Të njëjtën ditë bashkëluftëtarët i varrosën këta dy dëshmorë me nderime ushtarake në “Fushën e Haxhi Seferit” në Buçan. Pas përfundimit të luftës dëshmori Zeqir Gashi u rivarros në varrezat e Buçanit, ndërkaq më 22 maj 2004 eshtyrat e tij u vendosën në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Shqiponjë të Dushkajës.

Dëshmori i kombit Zeqir Gashi ishte shembull i luftëtarit të devotshëm, që nuk dorëzohet para asnjë vështirësie. Ai ishte shembull i njeriut të sakrificës i gatshëm për të dhënë gjithçka për lirinë e atdheut. Pas vetes ka lënë nënën, Rukën, bashkëshorten Ajmanen dhe fëmijët Isufin, Blendin dhe Bleonën, të cilët përkundër dhimbjes së madhe, janë krenarë për djalin e për babain dëshmor, të vetëdijshëm se për liri duhen sakrifica të shumta dhe se liria pa gjak nuk fitohet.

Familja e dëshmorit Zeqir Gashi, është nderuar me mirënjohje të shumta si nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës – Ministria e Mbrojtjes, Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit e UÇK-së, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Komanda e Zonës së Tretë të Mbrojtjes së TMK-së, Komuna e Pejës, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Organizata e Veteranëve të Luftës, Brigada 132 “Myrtë Zeneli”, Brigada 135 “Agim Zeneli”, etj.

Dëshmori Zeqir Gashi është përjetësuar edhe në këngë e në historinë tonë më të re. Për heroizmin e tij është shkruar në librin “Të Pavdekshmit e Dukagjnit”, në revistën ushtarake “Ardhmëria” (organ i Zonës së Tretë të Mbrojtjes), në librin “Gjaku i Lirisë”, në gazetën javore “Fokus”, “Epoka e Re” etj. (F. R.)

_________________________
Marrë nga radiokosovaelire.com